Opinion: Ramazani nuk është bukë por mendim e sjellje

Nezir Kraki

Pse kemi kaq talent me çoroditë gjithçka që bëjmë, madje edhe momentet fetare që janë të menduara si momente tolerance.

Shikoni si maltretohet Ramazani dhe si përdoret ai për distilim të urrejtjes ndaj tjetrit dhe sidomos të urrejtjes ndërshqiptare.

Këtë e bejnë sidomos disa të ashtuquajtur muslimanë të vërtetë që në fakt nuk bëjnë as ramazan por durojnë për bukë dhe ta lodhin fejsbukun me filozofina injorante e me foto të iftarit. Fotot e pozat në këto raste përdoren me sforcim si prova nga frika që të kuptohet cekësia e praktikës së tyre fetare. Por cekësia e tyre është më e madhe se ramazani, ajo zgjat 365 ditë në vit, jo 30.

Në fakt, këta injorantë fetarë e shohin ramazanin si moment lufte fetare jo si moment paqeje sepse iu kanë rikthyer fesë pikërisht si « luftëtarë » apo në mendjen e tyre si « shpëtimtarë », të nxitur nga diskurse ekskluzivisht urrejtëse.

Këta s’e dinë që Ramazani nuk është buka por mendimi, sjellja, qasja ndaj tjetrit, ndaj rrethit, ndaj botës, ndaj të ndryshmit.

Këta nuk e dinë që Mjeshtri i botës nuk i pranon këto kalkulime të pacipa sepse Ai e di që në botë janë edhe 6 miliardë fryma që nuk bëjnë ramazan.

Prandaj, miq të dashur, ju që ramazanin nuk e keni luftë as urrejtje, paçi mirënjohje e pranim. Mos bini nën ndikimin e atyre që dështimet ose zhgënjimet e tyre jetësore mendojnë t’i riparojnë duke duru për bukë dhe duke shpënda urrejtje në popull.

Tekefundit, dashuria e respekti për tjetrin janë bazë e ligjit natyror, nuk kanë nevojë për recepta fetare dhe sidomos jo për polici fetare.

Ramazan të lehtë juve që e mbani!

Na ndiqni
error