KKSH për herë të parë ngrit çështjen e arsimit në nivelin më të lartë

Siç e dini, mungesa e teksteve dhe librave shkollore në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës është problem i pazgjidhur me dekada. Pjesa më e madhe e tyre është ende sot padrejtësisht e ndaluar me ligj.
Sigurimi i tyre ishte edhe premtim i jonë parazgjedhor. E vendosëm zgjidhjen e kësaj çështje si prioritet programor dhe kalendarik, që në ditën e parë të mandatit tonë qeverisës, si institucion i vetëm kompetent ligjor për çështjen e teksteve dhe librave shkollore në gjuhën shqipe.
Për gjashtë muaj, nuk jemi ndalur së vepruari, në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar dhe me ministritë e arsimit.
Sot, po jepen frytet e para. Shihen shkëndijat e para të dritës në fund të tunelit.
Të hënën, më 6 maj 2019, Ministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë dhe Ministri i Arsimit i Republikës së Serbisë do ta zhvillojnë takimin e parë të përbashkët. Në Bujanoc. Në fokus, zgjidhja e mungesës së librave në gjuhën shqipe.
Nuk ka asnjë arsye të shëndoshë që të mos zgjidhet tanimë ligjërisht sigurimi i plotë i teksteve dhe librave shkollore për mësimin në gjuhën shqipe. E drejta për arsim në gjuhën amtare, si dhe ruajtja e zhvillimi i veçorive kulturore dhe kombëtare janë të drejta të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare.
Duke shpresuar se javëve në vijim do të dominojë fryma konstruktive nga të gjithë vendimmarësit, në emrin tim dhe në emër të Këshillit Kombëtar Shqiptar, shpreh mirënjohje dhe falenderim të veçantë për të gjithë (f)aktorët e vullnetit të mirë, të përfshirë në këtë proces jetik për arsimin në gjuhën shqipe. Deklaroi kryetari i KKSH Ragmi Mustafa