Lideri i ISIS-it paraqitet publikisht për herë të parë mbas pesë vjetëve

Lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, është paraqitur në një video propagandistike për herë të parë në pesë vjet, në të cilën ka pranuar humbjen e ISIS-it në qytetin Baghouz të Sirisë.

Paraqitja e tij vjen vetëm disa javë pasi trupat e fundit të ISIS-it u larguan nga shkretëtira në Sirinë lindore.

Baghdadi në video dukej më në peshë se kur kishte deklaruar ekzistencën e kalifatit në vitin 2014.

Me një kallashnikov në dorë, ai ka folur për 40 sekonda në këtë video.

“Beteja e Islamit dhe njerëzve të tij kundër kryqit dhe popullit të vet është e gjatë. Beteja e Baghouzit ka përfunduar. Por ka treguar egërsinë, brutalitetin dhe synimet e sëmura të krishterëve ndaj myslimanëve”, ka deklaruar ai, raporton “The Guardian”.

Baghdadi nuk ishte paraqitur për kohë të gjatë publikisht, ndërsa kishte lansuar kohë pas kohe audio-incizime. I fundit ishte në muajin gusht të vitit të shkuar.