Patriarku Irinej: Serbia pa Kosovën, si njeriu pa kokë

Në prag të Pashkëve Ortodokse, patriarku serbe Irinej, për mediet e Beogradit ka dhënë një intervistë krejtësisht politike në të cilën theksin kryesor e ka vënë në Kosovë dhe në aspiratat hegjemoniste të kishës dhe të politikës së Serbisë ndaj saj.


“Shpresa jonë më e madhe është te Zoti, te shenjtoret që i kemi atje, në Kosovë. Derisa të jetë i shenjti mbret Deçanski me trupin e vet në Deçan, derisa në patrikanën e Pejës të ketë kaq shumë peshkopë e patriarkë trupat e pakalbur të të cilëve pushojnë aty, derisa të ketë murgesha të Deviqit… po, kjo është shpresa jonë dhe me këtë shpresë tonën ne duhet t’i mbrojmë me të gjitha mjetet e lejuara shenjtoret tona, popullin, manastiret , tokën tonë në Kosovë”, citon kossev të ketë thënë patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej.

Sipas tij, çdo gjë e vlefshme në histori, në kulturë dhe në spiritualitet fillin e ka në Kosovë.

“Serbia pa Kosovën nuk është Serbi. Është si njeriu pa kokë”, ka thënë Irinej.

Duke rikujtuar se në Kosovë kishte qëndruar gjatë mesit të këtij muaji, ai ka thënë se “kjo rrugë ishte e mundimshme por mirënjohëse”, ndërsa ka shtuar se nuk është e vërtetë se në Kosovë nuk ka serbë”.

“Kam parë fytyra të lumtura që shumë sosh më prisnin kudo, kjo është njëra pjesë e popullit tonë në Kosovë të cilat në personalitetin tim shihnin kishën tonë, shihnin shtetin Serbi dhe popullin tonë në atdhe dhe mendoj se me këtë vizitë ata e kuptuan se nuk janë të vetëm dhe të braktisur”, ka thënë Irinej.

Sipas tij, jeta e këtyre serbëve “nuk është aspak e lehtë, jetojnë në një pashpresë të madhe në një pasiguri dhe joliri të madhe”. “Ata janë të privuar nga dinjiteti njerëzor dhe nga jeta normale”, mendon ai, transmeton koha.net.

Ka shtuar se autoritetet serbe kishin gabuar që gjatë bisedimeve nuk kanë insistuar për kthimin e popullatës që pas luftës e ka braktisur Kosovën.

“Ne këtë shtëpi nuk mund t’ia japim askujt. Forca mund të bëjë çdo gjë, por çdo forcë është kalimtare”, ka thënë në fund Irinej.