Gecaj: Qytetarët po ikin nga Kosova, partitë politike po mendojnë vetëm për familjet e tyre

Instituti për Politika në PDK, Bajram Gecaj ka thënë se ikja e qytetarëve nga Kosova vjen si pasojë e një gjendje bllokade që është krijuar në vend dhe nga pafuqia e frika.


Gecaj ka thënë se viteve të fundit Kosova po përballet me një fenomen të ri, jo me migrim klasik, por me ikjen e qytetarëve nga vendi.

Kjo sipas tij vjen pasi Kosova po gjendet në një bllokadë dhe nga pafuqia e frika për të projektuar të ardhmen.

Po ashtu Gecaj tha se qytetarët e kanë kuptuar se ata dhe fëmijët e tyre nuk janë pjesë e temave shoqërore e as politike, pasi partitë politike po krijojnë hapësira vetëm për familjet dhe grupin e interesave personal të tyre.

“Katastrofat natyrore, luftrat dhe gjendja e keqe ekonomike janë shkaktarët kryesorë të migrimit. Viteve të fundit po përballemi me nje fenomen te ri, jo migrim klasik, por me ikje.

Ikja vjen nga gjendja bllokadë, nga pafuqia e frika, ikja lidhet me paaftësinë për të projektuar të ardhmen. Kryesisht jemi duke jetuar në të kaluarën, e, e kaluara jonë është e dhimbshme, e mundimshme. Njeriu si qenje eshtë e orientuar nga e ardhmja, e ardhmja projektohet nga sistemi, politika dhe pushteti.

Tani pjesa e madhe e qytetarëve e kanë kuptuar se ata dhe fëmijët e tyre nuk janë pjesë e projektimit, pra, fëmijët e tyre nuk janë temë shoqërore e as e politikës. Prandaj ata ikin, ata do të ikin edhe më shumë nese partite tona vazhdojnë të krijojnë projeksione vetem për familjet e tyre dhe grupin e interesit personal”, ka shkruar Gecaj.