Pse po vlon Ballkani? Parashikimi që bën Klajda Gjosha

Ish-ministrja dhe ish-deputetja e LSI-së Klajda Gjosha e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 tha se qëllimi protestës së sotme nuk ishte dhunimi i institucioneve por sensibilizimi çdo ditë e më shumë i qytetarëve se kjo qeveri duhet të largohet.

Qytetarët sot janë të pa përfaqësuar dhe këtë kishte për qëllim edhe protesta e sotme, të tërhiqte pas vetes sa më shumë qytetarë. Protestuesit do të mund ta thyenin kordonin policor për 5 minuta. Por pavarësisht kësaj masa u tregua e përmbajtur, tregoi që nuk e ka revoltën me policinë, me institucionet, por me qeverinë”.

Gjosha e cilësoi gjithashtu një show edhe debatin e sotëm mes ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj e pasardhësit të tij Sandër Lleshaj.

“Debatet janë një turp i madh. Debatet le të ndodhin brenda shtëpisë, brenda PS, por ta shfaqësh atë do të thotë se godet një sërë qytetarësh që kanë besuar tek ty, do të thotë se nuk ke një program. Ministrat e rinj që i kanë zëvendësuar, aktet e tyre të para i kanë pasur goditje ndaj ish paraardhësve të tyre. Ky është një show i madh që duhet të marrë fund bashkë me qeverinë”, tha ajo duke shtuar se: “Rruga që kemi para e gjatë, përpara kemi një individ jo vetëm arrogant por edhe me një mentalitet ku nuk ekziston fare mundësia e lënies së zyrës së tij”.

Zonja Gjoshaj u pozicionua qartazi kundër pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhjet lokale, ndërsa parashikoi se në kushtet e protestave dhe presionit popullor Rama do të pranojë shumë shpejt zgjedhjet e parakohshme
“Rama shumë shpejt do t’i pranojë zgjedhjet e parakohshme. Kërkesa jonë është për të pasur zgjedhje të parakohshme, që t’i japë fund fenomenit të ndodhur në 2017 të shitblerjes së votës”,- vijoi ajo.

Sa për situatën e krijuar në Ballkan, në Serbi e Mal të Zi, du vende ku ka protesta të vazhdueshme si në Shqipëri, Gjosha gjeti si pikë lidhëse një problem larg tyre, por në Komisionin Europian.

“Problem i përbashkët është mos funksionimi i Komisionit Europian. Është fatkeqësi që komisioni ka humbur detyrën kryesore për të punuar teknikisht me institucionet e çdo vendi që do të jetë pjesë e BE, të monitorojë punën e tyre. Vitet e fundit Komisioni Europian nuk është më teknik por politik. Ka humbur detyrën kryesore. Kjo duhet të ndryshojë, shpresoj shumë se me zgjedhjet e reja të ndryshojë qasja atje”,- tha Gjosha.

E sa për situatën e tensionuar, gati në vlim të Ballkanit, zonja Gjosha tha se edhe Europa ka filluar të ndryshojë mendim dhe t;i afrohet qasjes se pa demokraci edhe stabiliteti është i pamundur.

“Besoj që Europa ka filluar të ndryshojë. Mediat europiane kanë reaguar shumë fortë për atë që po ndodh në Ballkan”,- vijoi ish-deputetja e LSI.