Haradinaj: Nuk jemi marrë vesh ta ndajmë Kosovën, do të nxjerr Qakorrin dhe Kullën

Kryeministri i Kosovës dhe kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një takim me qytetarët dhe strukturat e partisë në Rahovec, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi duke thënë se Evropa duhet të japë diçka që t’i ndreq të dy palët.

Haradinaj përmendi edhe kufirin me Malin e Zi, ku tha se do ta nxjerr Qakorrin dhe Kullën.

“Ne i kemi dy vjet të krijojmë një komision të përbashkët, Kosova dhe Mali i Zi. Ai komision do të shkojë t’i vë gurët. Pa i vendosur ai komision gurët, asgjë nuk ka ndodh, as nuk i kam dhënë tokë Malit të Zi, as nuk po i japim tokë Malit të Zi. Nuk ka komision që guxon t’i vendos gurët gabim, se e ka obligimin me dy të tretat e Parlamentit t’i respektojë gjetjet e raportit të Kosovës. U them këtyre që po kanë qejf me qitë shibla, mos u ngutni sepse edhe për fëmijët e juaj kam me e nxjerr Qakorrin dhe Kullën”, tha ai, raporton KsP.

Haradinaj ka deklaruar se kur ka kërkuar që Amerika të futet në dialog, shefja e Politikës së Jashtme e BE-së, Federica Mogherini nuk ka dalë në konferencë për shtyp më të.

“Amerika është vend i madh, vend i fortë, është vend që kryen punë të madhe, nuk mund të vijë t’i kryejë këto të voglat e t’ia fillojë nga fundi. Ne e kemi kërkuar ndihmën e Amerikës. Unë kur kam shkuar në Bruksel, Mogherini gati sa nuk më ka larguar prej zyrës kur i kam thënë, dua që Amerika të hyjë në dialog. Nuk ka dalë me mua në konferencë për shtyp. I kam thënë, në rregull, herën tjetër dalim bashkë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Haradinaj ka thënë se me vënien e taksës është krijuar një ambient shumë më i sigurt për të gjitha prodhimet vendore, e që u kishte zënë tregun një prodhim tjetër.