Seanca plenare, sot betohen në Kuvend 7 deputetë të PD dhe LSI (Emrat)

Shtatë deputetë të tjerë të PD dhe LSI të cilët pranuan mandatin e deputetit, do të betohen sot gjatë seancës së Kuvendit. Një ditë më parë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vendosi që t’i përcjellë seancës plenare raportin për dhënin e mandatit të deputetit për kandidatët Elda Hoti e LSI-së, Erdiola Braha e LSI-së, Edlira Hysenit e LSI-së; Lefter Maliqit të PD-së dhe Majlinda Halilajt të PD-së.

Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se Këshilli i Rregullores, Mandatet dhe Imunitetin ishte shprehur pro shkresave të dërguara nga KQZ-ja, e cila rekomandonte dhënien e mandatit të deputetit për pesë kandidatët. Kësisoj, ditën e sotme pritet që Parlamentit t’i shtohen shtatë deputet të rinj, që sipas Rregullores, ata do të betohen për të marrë edhe detyrën e ligjvënësit.

Po sot pritet të betohen edhe dy kandidatë të tjerë të PD-së, për Ligoraq Karamelo i Qarkut të Korçës dhe Alban Zeneli i Qarkut të Kukësit. Të dyve, KQZ u dha mandatin një ditë më parë.

Deri më tani kanë marrë zyrtarisht mandatin e deputetit katër kandidatë nga LSI-ja, ku së bashku me kandidatët që pritet të betohen sot, do ta çojnë këtë numër në 11 parlamentarë, të cilët do të ulen për herë të parë në karriget e opozitës.