Kosova aplikon për të tretën herë në Interpol

Kosova kishte dështuar të bëhet pjesë e INTERPOLI’it , në nëntorin e vitit të kaluar. Shkak ishte edhe lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Por pavarësisht rezultatit të disa muajve më parë, do të ketë një tentim të tretë për t`u bërë pjesë e Interpolit.

Tashmë Kosova ka aplikuar për tu antarësuar në këtë organizatë.

Por sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, Kosova ka pasur gjasa të mëdha të pranohet edhe vitin e kaluar në Interpol.

Selimi thotë se temat e hapura do të jenë pengesë në integrimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtar.

Pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol sipas deputetit të VV-së ka qenë edhe lobimi i dobët i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

E në anën tjetër zëvendës kryeministri Enver Hoxhaj thotë se debati për aplikimin e Kosovës për Interpol është i parakohshëm, derisa shprehet i bindur që ideja e Thaçit për ndryshim kufijsh nuk do të jetë pengesë për Interpol.

Zv.Kryeministri thotë se janë duke e analizuar se çfarë shkoi keq vitin e kaluar, kur Kosova dështoi të anëtarsohet ne Interpol.

E i bindur që Kosova do të pranohet në Interpol shprehet deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala.

Vitin e kaluar Kosova nuk ka mundur t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Interpol në Asamblenë e Përgjithshme të Interpol-it që u mbajt në Dubai.

Kosova kishte marrë 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime derisa në votimin e dytë, mori 8 vota më pak se në të parin.

Hera e parë kur Kosova aplikoi në këtë organizatë ishte viti 2016.


Na ndiqni
error