Haradinaj: Me votimin e platformës për dialog tregojmë se kufijtë janë të paprekshëm

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se votimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë dhe i Platformës për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është votim për ruajtjen e Kosovës së 17 Shkurtit 2008.

Miratohet platforma për dialogun

“Me votën e sotme, nga shumica prezente në Kuvend, ne i kemi hapë rrugë ekipit gjithëpërfshirës nga përfaqësues të pozitës, opozitës e shoqërisë civile si ekip që përfaqëson interesat Kushtetuese dhe strategjike të Kosovës dhe po dëshmojmë edhe njëherë përkushtimin tonë, për paqen e stabilitetin e gjithë rajonit dhe në ndërtimin e fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai thotë gjithashtu se me Ligjin dhe Platformën, “ne i kemi dhënë Ekipit negociator dokumentet bazë, në të cilat paraqitet pozicioni ynë se kufijtë e Kosovës, janë të paprekshëm dhe se nuk do të ketë nivel të tretë të pushtetit”, ka thënë tutje Haradinaj.