Skandal: Pacientët në QKUK rrezikohen nga mungesa e oksigjenit

Klinikat e QKUK-së po rrezikojnë të mbesin pa oksigjen për shkak të defekteve në sistemin qendror të furnizimit, si dhe mungesës së bombolave 8.5 kg. Kjo gjendje është bërë e ditur pas publikimit të disa emailave të zyrtarëve të SHSKUK-së dhe kompanisë “Medica”, nga deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli. Në këto emaila zyrtarët e SHSKUK-së dhe kompanisë ia hedhin njëri-tjetrit fajin për mungesën e oksigjenit

Qendra Klinike Universitare e Kosovës po rrezikon të mbetet pa oksigjen dhe kësisoj t’i rrezikoj edhe jetët e pacientëve nëpër klinika. Të paktën këtë e pranojnë edhe vetë zyrtarët, në një shkëmbim email-ash të cilat janë publikuar nga deputeti i LDK-së, neurokirurgu Haxhi Avdyli.

Në dokumentin e parë shihet një kërkesë e shefit të Shërbimeve Teknike, Mehdi Krasniqi, dërguar shefit të Prokurimit Gazmend Rushiti, ku i njofton edhe Drejtorin e SHSKUK-së dhe zyrtarët tjerë përgjegjës. Krasniqi kërkon nga Rushiti që të kërkojë 200 bombola me oksigjen 8.5 kg nga kompania “Medica”. Kjo për arsye se aktualisht i kanë në dispozicion vetëm 35 bombola 8.5 kg, me të cilat mund t’i furnizojnë klinikat për vetëm tri orë. Krasniqi alarmon se nëse nuk furnizohen me bombola, mund të rrezikohet jeta e pacientëve.

“Edhe pse sistemi alternativ teknikisht është në gjendje gatishmërie, në mungesë të sasisë së bombolave 8.5 kg, ai nuk do të mund t’i furnizojë klinikat me oksigjen, pra është i pa përdorshëm. Tani për tani te sistemi alternativ kemi vetëm 35 bombola 8.5 kg, ku kjo sasi do të mund t’i furnizojë klinikat me oksigjen vetëm për tri orë”, shkruan Krasniqi.

“Prandaj kjo sasi e bombolave 8.5 kg është e pamjaftueshme dhe në rastin tonë konkret kemi vetëm një mundësi, të furnizimit të klinikave me oksigjen dhe atë përmes sistemit qendror nga cisternat statike”, thuhet në email, shkruan Gazeta Shneta.

“Në situatën e tanishme, me këtë sasi të bombolave 8.5 kg, për çfarëdo defekti të mundshëm që mund të paraqitet në sistemin qendror te cisternat statike (e që nuk përjashtohet një mundësi e tillë), atëherë furnizimi i klinikave me oksigjen do të mund të bëhet vetëm për tri orë (sipas të dhënave mbi shpenzimet mesatare) e me këtë rrezikohen jetët e pacientëve”.

“Prandaj OE duhet të njoftohet edhe pse gojarisht është njoftuar se është e domosdoshme që së paku 200 bombola 8.5 kg të jenë të deponuara në sistemin alternativ sasi e cila së paku për 20-24 orë do t’i furnizoj klinikat me oksigjen, në të kundërt tani për tani në dispozicion e kemi vetëm një mundësi dhe në çdo moment pacientët janë të rrezikuar”, ka shkruar Krasniqi në emailin e tij.

Në anën tjetër përfaqësuesi i kompanisë “Medica”, Adrian Ukelli, pretendon se problemi është te mosfunksionimi i shtypjes në furnizimin nga rezervuari. Ai thotë se ndonëse nuk e kanë përgjegjësi si kontraktor, ata kanë angazhuar ekspertët e kompanisë “Messer” e cila prodhon oksigjenin, për ta rregulluar atë. Ukelli shton se këta ekspertë kanë rekomanduar zyrtarëve të QKUK-së që të bëhet procedura e vakumimit të rezervarit gjë që sipas tij nuk i është bërë asnjëherë.

Ukelli tregon tutje rastin kur kanë intervenuar që të nxjerrin autobotin nga Dogana për ta mbushur rezervarin me urgjencë, për që sipas tij në fakt rezervari ka qenë i mbushur me 2 mijë litra. “Në rezervar kanë qenë rreth 2000 litra oksigjen, por problematika ka qenë presioni i ulët dhe kjo ka rezultuar në pamundësi të furnizimit me oksigjen të lëngët”, ka shkruar Ukelli në përgjigjen e tij për Krasniqin.

Ai thotë se gjatë janarit të këtij viti ka pasur prishje edhe në matësit dhe tani nuk dihet as sasia e oksigjenit në rezervar. Ukelli ngrit dyshime se rezervari nuk është duke funksionuar fare, pasi thotë se QKUK ka kërkuar mbi 600 bombola vetëm gjatë muajit janar, e në fakt shpenzueshmëria standarde është rreth 350 bombola. Krejt në fund Ukelli kërkon që urgjentisht të sanohet prishja në rezervar.

Deputeti i LDK-së, Dr. Haxhi Avdyli, ka bërë apel që të rregullohen sa më shpejt këto defekte dhe të mos rrezikohet jeta e pacientëve. “Vazhdimi i kësaj mënyre të transportit të oksigjenit me bombola kushton më shumë para por mund të kushtoi me jetëra të humbura siq ka ndodh edhe në të kaluarën. Lutem të mos ketë viktima të pafajshme, por nëse nuk e parandalojmë ndonjë avari, përgjegjës do jemi të gjithë, e më shumë ata që patën njohuri e nuk e parandaluan. Parandalimi mbetet më mirë se shërimi”, ka shkruar Avdyli.

Na ndiqni
error